Torte e kripur me salçiçe

Brumera

Përbërësit:

Miell (pesë-gjashtë lugë gjelle)

Vezë (një kokërr)

Ujë të vakët (gjysëm filxhani kafeje)

Salçiçe (tre copë)

Çikore (ose lakra të egra) (250 gramë)

Hudhër e njomë (tre fije)

Spec djegës

Verë e bardhë (një filxhan kafeje)

Djath mozzarella  (150 gramë)

Djath parmigiano (50 gramë)

Vaj ulliri

Kripë

Përgatitja:

Në një enë qelqi hedhim katër lugë gjelle të mbushura ding me miell zero. Thyejmë një vezë mbi të, shtijmë vetëm një lot vaj, por vetëm një lot ama dhe e përziejmë masën me një pirun. Shtojmë ujin e vakët të ndarë në dy herë. Pasi krijohet masa nisim e punojmë me dorë dhe e spërkatim brumin me pak miell. Pasi brumi merr formë e mbulojmë me qese kuzhine enën dhe e lëmë të pushojë për gjysëm ore.

Në një tigan ngrohim vajin e ullirit. Presim hollë hudhrat dhe me copa të vogla salçiçet e freskëta. Mund t’i përdorni të mishit të derrit ose viçit, por duhet të jenë të freskëta. Mund ta bëni tortën edhe pa ato, nëse e doni vetëm me barishte.

I kavardisim në zjarr të butë, shtijmë kripën dhe specin djegës. Çikoren ose lakrat e egra i lajmë mirë, i thajmë me letër kuzhine dhe i presim me thikë. Nuk ka nevojë t’i presim shumë hollë. I shtijmë në tigan dhe e ngrejmë zjarrin. Pas pak minutash, çikorja zbutet dhe bëhet një me masën e salçiçeve dhe hudhrës. E shuajmë me filxhanin e verës së bardhë. Presim derisa të avullojë alkooli. Fikim zjarrin.

Brumin e hapim në një plan dërrase, të cilin e spërkasim me miell. E hapim me okllai të trashë si ai i pizza-ve.

Marrim një tavë të rrumbullakët dhe ia lyejmë fundin dhe anësoret me vaj ulliri. Përdorni furçen ose si puna ime me gisht. Shtroni brumin, në mënyrë që anët e tij të varen mbi parete. Hidhni masën e tiganit, por jo me gjithë lëngun që kanë lëshuar. Pasi e hapni masën me kujdes, shtoni përsipër djathin mozzarella të prerë në kubikë. Në fund mbusheni me pluhurin e djathit parmigiano që do i japë kore sipërfaqes. Mblidhjani anësoret, por më parë kalojeni rulin (okllainë) mbi tavë që anësoret e tepërta të bien poshtë.

Futeni në furrë të ventiluar me nxehtësi 200 gradë Celcius për 25-30 minuta (varet nga furra). Lëreni të ftohet. Më pas vendoseni në një pjatancë druri që ta shërbeni.

Kliko ne foto per te bere porosine tende.