Këtë recetë e kam hasur në një libër me receta greke, sepse afërmendsh, nuk ka mjeshtra më të mirë se grekët, që dinë ç’të bëjnë me ushqimet e tyre të detit! Tani që vera është në fillimet e saj, duhet të mendojmë më tepër për të pasuruar tryezën tonë me çfarë ka deti për të ofruar, nëse nuk e kemi bërë gjatë stinëve të tjera të vitit.
Nëse jeni si unë, që anoni më tepër nga frutat e detit se sa nga peshku, kjo recetë është për ju. Vërtet peshku është i shijshëm, i shëndetshëm e më the, e të thashë, por besoj se më kuptoni kur them se shija e tij është tejet neutrale, dhe kërkoj diçka me më tepër “kick” për qiellzën time. Frutat e detit e plotësojnë gjithnjë këtë kërkesë, dhe sidomos një pjatë e veçantë, si kallamarët e mbushur.
Përbërësit (për 5-6 persona)
1 ½ kg kallamarë të mëdhenj
1 filxhan oriz
2 qepë të grira
10 lugë vaj ulliri
½ gote verë e bardhë
1 tufë majdanoz i grirë
kripë, piper
Përgatitja
1. Pastroni kallamarët, hiqjuni kockën, sytë dhe pjesët e forta dhe lajini mirë.
2. Prisni tentakulat e kallamarëve në pjesë të vogla dhe skuqini në tigan me 5 lugë vaj bashkë me qepët, derisa tentakulave t’u shterojë lëngu dhe qepët të zbuten dhe marrin ngjyrë disi të artë.
3. Shtoni në tigan orizin dhe përziejeni për 1 minutë, më pas shtoni verën e bardhë, për ta zier paksa, pa avulluar të gjithë verën. Shtoni ¾ e majdanozit të grirë, kripë e piper sipas shijes tuaj dhe ziejini edhe për 2-3 minuta. Hiqini nga nxehtësia.
4. Mbushni kallamarët me këtë përzierje deri në ¾ e tyre, duke lënë vend kur orizi të fryhet. Mbyllni grykët e kallamarëve me një kunjë dhëmbësh.
5. Shtrojini kallamarët me vajin e mbetur të ullirit në një tigan të gjerë dhe skuqini për pak nga secila anë, sa t’u jepni ngjyrë. Mbushni tiganin me ujë derisa t’i mbuloni kallamarët në ¾ e tyre, ulni nxehtësinë, vendosuni kapak dhe lërini të ziejnë. PS: Mund të zgjidhni t’i zieni edhe në salcë domatesh, por kjo është receta bazike për kallamarë të mbushur, për të qëndruar krejtësisht te shija e tyre.
6. Shërbejini të plotë ose të prerë në rrathë të trashë, pasi t’u keni hedhur sipër pjesën e mbetur të majdanozit.