Përbërësit :
(Përbërësit më poshtë për 4-5 persona)
500 gr mish tul (Përzgjedhja e mishit sipas preferencës, nëse do përdorni mish viçi atëherë mishi duhet të jetë shumë i njomë)
1-2 kokrra qepë mesatare
2-3 lugë gjelle me vaj ulliri
2 lugë gjelle me uthull
2 gjethe dafine
Kripë
Piper
Rigon
Përgatitja :
Tuli i pastruar i mishit pritet në kubikë mesatarë (2.5 – 3 cm), vendoset në një tas dhe marinohet me uthull, vaj ulliri, piper, majdanoz, gjethe dafine dhe qepë të prera në rrathë 1 centimetër.
Të gjitha këto përzihen dhe lihen në frigorifer (jo në ngrirje) për 3-4 orë, në mënyrë që mishi të marinohet plotësisht me të gjithë përbërësit.
Zakonisht, në këto raste nuk hidhet kripë, sepse mishi lëshon lëng dhe forcohet.
Shishqebapi përgatitet në çast, disa minuta para ngrënies.
Mishi kalohet në një shufër druri të hollë (gjenden në çdo supermarket). Si fillim kalohet një nga kubikët e mishit, një rrathë qepe (nga qepët që i janë hedhur mishit gjatë marinimit me erëza), përsëri një nga kubikët e mishit dhe kështu me rradhë. Nëse preferoni, gjatë përgatitjes së shishqebapit mund të shtoni edhe perime të ndryshme të prera në rrathë ose kubikë.
I hidhet kripë, rigon dhe piqet në zgarë të vendosur mbi sobë ose mbi prush.
Shishqebapi shërbehet i ngrohtë dhe shoqërohet me sallata të ndryshme, speca të pjekur, qepë të grira hollë, lakër e bardhë turshi, patate furre apo të fërguara etj.