Mjeshtëria në përgatitjen e kafesë turke :
Përgatitja e një filxhani kafeje nuk është diçka që duhet bërë shkel e shko.
Përpara përgatitjes, një amvisë duhet të ketë pajisjet e duhura: kafenë pluhur, xhezvenë, filxhanin, lugën e drurit, sheqerin dhe ujin.
Bluarja e kafesë :
Kafeja e bluar e freskët është çelësi i suksesit të një filxhani të shijshëm.
Zakonisht, amvisat mbajnë në shtëpi mulli kafeje të përmasave të vogla për të prodhuar kafenë pluhur njësoj si kakaoja.
Sasitë e mëdha duhen ruajtur në një enë qelqi të mbyllur hermetikisht.
Servirja :
Servirja është një aspekt i rëndësishëm i shijimit të kafesë turke.
Ajo serviret në filxhanë më të vegjël se ajo e kafesë espresso.
Çdo amvisë e di sa lezeton kafeja turke e servirur në filxhanë të bukur e të hijshëm.
Xhezveja :
Xhezveja duhet të jetë prej bakri ose inoksi.
Ajo rekmandohet e vogël me të cilën mund të përgatisni një ose maksimumi dy filxhanë kafeje.
Sheqeri :
Ekspertët thonë se sheqeri duhet hedhur në fillim të përgatitjes së kafesë.
Kjo është arsyeja përse pyetja e parë që bëhet në porosinë e kafesë është sa e ëmbël duhet të jetë ajo.
Amvisat shqiptare e pijnë kafenë ‘të mesme’ që do të thotë me një sasi mesatare sheqeri.
Kjo sasi përkthehet në një ose dy kubikë sheqeri ose një lugë e gjysmë çaji me sheqer.
Uji :
Filxhani ku do të serviret kafeja përdoret si njësi matëse për ujin.
Nëse do të përgatisni dy filxhanë kafe, atëherë në xhezve duhet të hidhni dy filxhanë me ujë.
Përgatitja :
Një filxhan ujë kërkon një lugë druri kafeje me pluhurin e sapobluar.
Ekspertët rekomandojnë lugën e drurit sepse ajo metalike ndikon tek shija e kafesë.
Kafeja nuk duhet përzier kur hidhet në xhezve.
Ajo duhet lënë të tretet vetë në ujë.
Më pas shtohet sheqeri në varësi të ëmbëlsisë që dëshironi.
Kafeja duhet zier në një temperaturë të ulët e për këtë kërkon kohë dhe durim.
Kafesë i duhet qëndruar mbi kokë por nuk duhet përzier.
Me kalimin e sekondave, sheqeri dhe kafeja do të shkrihen me njëri tjetrin dhe do të formojnë pijen e shumëdëshiruar.
Kur kafja të nisë të formohet, mund t’i jepni një përzierje të lehtë me lugë druri por pa shpërqendruar bulëzat.
Shtresën e parë të kafesë të valuar mund ta hidhni menjëherë në filxhan dhe më pas xhezvenë ta ktheni sërish në zjarr.
Me valën e dytë dhe të tretë kafeja do të ketë një shije fantastike dhe servirja do të jetë e denjë si për një sulltaneshë.