Përbërësit për brumin:
500g miell ● 2 lugë vaj ulliri ose luledielli ● 1 lugë të vogël sheqer ● 1 lugë e vogël kripë ● 4 lugë gjelle kos ● 1 lugë e vogël maja birre e thatë (me kokrriza) ● 240ml ujë i vakët (afërsisht)
Përbërësit për mbushjen:
500g mish i grirë viçi ● 1 qepë ● 2 domate ● 1 spec jeshil + 1 spec I kuq ● 1 tufë majdanoz ● 1 lugë salcë koncentrat domatesh ● 1 lugë vaj ulliri ● 1 lugë gjalpë ● kripë, piper, spec pluhur
Për ta lyer sipër:
1 lugë vaj ulliri ● 1 e verdhë veze
Përgatitja:
1.Hedhim miellin në një tas të madh, shtojmë përbërësit e tjerë të brumit dhe fillojmë t’i përziejmë me dorë. Brumi duhet të jetë elastik që nuk ngjit në duar, prandaj ujin e shtojmë pjesë-pjesë sipas nevojës (sasia e ujit varet shumë edhe nga lloji i miellit). E punojmë 10 minuta me dorë në tavolinë me pak miell.
2.E mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë të pushojë për 50 minuta afërsisht ose derisa të shohim që e ka dyfishuar vëllimin.
3. Gjatë kësaj kohe, përgatisim mbushjen: në një tigan skuqim në fillim mishin, më pas shtojmë qepën dhe specat të prerë në kubikë të vegjël. I skuqim dhe këto për disa minuta derisa qepa të jetë zbutur. Shtojmë domatet të prera në kubikë, majdanozin të prerë imët dhe salcën koncentrat të domateve. I përziejmë mirë me lugë druri dhe i lëmë akoma në zjarr për pak minuta. Shtojmë gjalpin dhe fikim zjarrin. E lëmë mënjanë tiganin që të ftohet dhe të përzihen aromat me njëra-tjetrën.
4.Kur brumi të jetë fryrë sa e duam, e ndajmë në 4 topa. I hapim me petës dhe pak miell, të holla dhe me formë të zgjatur ose të rrumbullakët, e vëmë petën direkt te tava e furrës e veshur me letër furre, hedhim pak nga mbushja. Rrahim vezën me vajin dhe i lyejmë sipër me penel vetëm te pjesa e brumit. I pjekim në furrë me 220°C të ngrohur më parë derisa të kenë marrë ngjyrë si lart edhe poshtë.