Për brumin :
500gr miell
250 ml ujë i vakur
vaj ulliri
kripë
Për mbushjen e pulës :
1 pulë e vogël
½ l qumësht
4 kokrra vezë
Kripë
Dy lugë vaj ulliri ose 50 gr gjalpë të freskët
Piper
Përgatitja e brumit :
Në një tepsi hedhim miellin. Hapim një gropë në mes dhe një lugë kripë ndërsa nisim të shtojmë ujin e vakur duke e punuar brumin me dorë.
E punojmë me duar derisa të krijohet një masë kompakte në formën e brumit për byrek.
Brumin e ndajmë në 15 kuleçë të vegjël dhe secilin prej kuleçëve e hapim në petë të mëdha.
Secilën prej petëve e shtrojmë në një tepsi dhe e fusim për pjekje në furrë por pa i lënë të thahen.
Duhet të kujdesemi që petët të mbeten të buta dhe të palosen lehtë. Kështu veprojmë me të gjitha petët.
Përgatitja e mbushjes me pulë :
Si fillim pulën e pastrojmë me ujë të rrjedhshëm dhe e vendosim në një tenxhere me ujë dhe kripë që të zjejë.
Më pas, lëngun e pulës e heqim mënjanë dhe mishin e zjerë e ndajmë në copa të vogla dhe i përzjejmë më qumështin dhe vezët derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.
E rregullojmë me kripë dhe piper.
Përgatitja e petanikut :
Përmes një furçe kuzhine lyejmë tepsinë me vaj ulliri.
Shtrojmë petën e parë dhe e spërkasim me disa pika vaj ulliri.
Më poshtë, shtrojmë petën e dytë e spërkasim gjithashtu me pak vaj ulliri.
Vijojmë edhe me të tretën e më pas hedhim pak nga mbushja me pulë duke e shtrirë në të gjithë sipërfaqen e petës.
Vijojmë sërish me shtrimin e dy petëve duke i spërkatur me pak vaj ulliri e më pas hedhim pak nga mbushja me pulë.
Petët e pjekura kur i shtrojmë i spërkasim edhe pak nga lëngu i pulës.
Vijojmë me rradhë deri në fund , ku petanikun e mbulojmë me dy petat e fundit dhe përkasim me vaj ulliri si dhe me lëngun e pulës.
E fusim në furrë të ngrohur më parë në temperaturë 180 gradë dhe e lëmë të piqet derisa të marrë ngjyrë të kuqërremtë të hapur nga të dyja anët.