Pa dyshim jahnia shqiptare është ndër pjatat më të shijshme, të cilën amvisat kujdesen ta përgatisin përherë në familjet e tyre.
Dikur ishte pjata e parë me të cilën, nënat dhe gjyshet mirëprisnin miqtë në tryezat e shtruara plot për dreka apo darka.
Kjo pjatë tipike shqiptare, e trashëguar me mjeshtëri brez pas brezi sjell shije dhe shëndet në tryezat familjare.
E gatuar në zjarr të ngadaltë sipas traditës, ajo mbush gjithë kuzhinën me aromën e saj fantastike të ndezur nga gjethet e dafinës, erëza karakteristike e kësaj pjate të shijshme.
Gatime Shqiptare sjell më poshtë recetën speciale të jahnisë që sigurisht nuk duhet t’i mungojë menusë së çdo tryeze shqiptare.
E plotë në shije, tradicionale e mbi të gjitha e shëndetshme, jahnia shqiptare shoqërohet në mënyrë fantastike me bukë të ngrohtë shtëpie dhe turshi, pure patatesh, pilaf dhe perime të furrës.
Jahnia E Shijshme Krejt Lehtë në Kuzhinën Tuaj
Përbërësit
1-1/2 kg tul mish viçi (i prerë në copa afërsisht 5 cm)
4 qepë mesatare të grira hollë
4 lugë gjelle vaj ulliri
1-2 gjethe dafine (të thata ose të njoma)
4-5 domate mesatare të grira pa lëkurë
200 ml ujë
kripë
piper
Kujdesi në Përgatitjen e Mishit
Me ndihmën e një letre kuzhine thani të gjitha lëngjet e mishit.
Më pas, vendosni një tenxhere me bazament të gjerë në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit.
E lëmë të nxehet pak dhe hedhim mishin duke e kaurdisur për rreth 10 minuta derisa të skuqet mirë nga të gjitha anët.
Heqim mishin nga tenxherja dhe e ruajmë në një pjatë, ndërkohë në tenxhere hedhim qepët e grira.
I kavërdisim derisa t’iu ulet volumi dhe të marrin një ngjyrë të verdhë të artë.
Në këtë moment, mishin e hedhim sërish në tenxhere. E kavërdisim për vetëm një minutë bashkë me qepët dhe më pas masën e shuajmë me pak ujë.
Kujdesi në Përgatitjen e Salcës
Në momentin që uji avullon përgatisni salcën, duke hedhur në tenxhere të gjithë përbërësit e tjerë, bashkë me ujin. (kripën dhe piperin i lëmë për më vonë)
Në momentin që masa nis të vlojë, ulni zjarrin duke lënë që gjella të gatuhet në nxehtësi të ngadaltë.
Tenxheren mbulojeni me kapak dhe lëreni të ziejë në zjarr të avashtë përreth dy orë, derisa mishit të jetë i butë.
Një orë pasi ka zjerë gjella, hedhim kripën dhe piperin (masa sipas dëshirës).
Kjo pjatë serviret e ngrohtë dhe për t’i shtuar edhe më shumë shijen mund t’i hidhen edhe disa pika uthull.