Përbërësit:
Fasule të bardha ose më mirë akoma të përziera, të gjitha llojet – 0.5 kilogram
Dy kokrra të vogla qepe – një e bardhë dhe një e kuqe
Një thelbi i madh hudhre
Kripë
Një fije selino
Spec djegës – dy copë
Pançetë – një fije e prerë jo shumë hollë ose nga ato të gatshmet me kubikë
Salçiçe e thatë – një copë
Vaj ulliri – gjysëm filxhani çaji
Verë të kuqe – gjysëm filxhani çaji
Një lugë salcë domateje koncetrat
Përgatitja:
Fillimisht fasulet i ziejmë në një tenxhere me presion, vetëm me ujë pa i hedhur kripë. Pasi i ziejmë i lëmë në një enë që të ftohen.
Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit, pançetën dhe salçiçen e thatë të prera në kubikë. Pasi i kavardisim bashkë sa të marrin një gjyrë të zbehtë, shtijmë specin djegës, qepën e kuqe e të bardhë të prera hollë.
Shtojmë kripën dhe bashkë me të, hudhrën e shtypur, fijen e selinosë të prerë imët. Më pas dadon ose një lugë gjelle lëng bimor të parapërgatitur, të cilën e kemi ngrirë më parë në frigorifer.
I kavardisim dhe më pas derdhim filxhanin e verës sa për t’i dhënë aromën. E lëmë sa vera të nxjerrë alkolin dhe shtojmë lugën me koncetratin e domates. I lëmë vetëm një minutë në zjarr dhe shtojmë groshën e zier. E mbulojmë enën me një kapak dhe e lëmë të vlojë në qejf të vet me zjarr tejet të ngadaltë për gjysëm ore.
Më pas shkon për së mbari që të gjithë gjellën ta hedhësh në një tavë balte e ta fusësh nja gjysëm ore në furrë në një temperaturë 200 gradë.
Shënim: Bëj kujdes, nëse e do të lëngët hidhi herë pas here pak ujë, përndryshe lëre të trashë ashtu .