Kulinaria shqiptare spikat në secilën prej krahinave të saj.
Receta të ëmbla e të kripura, autentike shqiptare të trashëguara brez pas brezi deri në ditët e sotme.
Gatime Shqiptare sjell një ëmbëlsirë tipike tradicionale të Kolonjës, një zonë e njohur për gatimet e shijshme të saj.
Bëhet fjalë për Pengjirin, një ëmbëlsirë fantastike e butë dhe me sherbet që të përfshin tërësisht me shijen e saj.
Pengjiri është traditë edhe e Korçës, Pogradecit si edhe Ersekës.
Dikur, gratë kolonjare e përgatisnin Pengjirin kur familja kishte një ditë të shënuar feste, ditëlindje apo edhe gëzime të tjera familjare.
Sot, Pengjiri jo vetëm që përgatitet ashtu si dikur por është pjesë e pandashme e listës së ëmbëlsirave tradicionale që ndodhen në shumë pastiçeri e gjithashtu në restorante të ndryshme.
Përgatitja e Pengjirit në Shtëpi
Përbërësit
10 vezë të freskëta
10 lugë gjelle sheqer
10 lugë gjelle miell gruri
1 lugë e vogël kafeje me sodë
Thelpinj bajamesh (sipas dëshirës)
Për sherbetin
5 gota ujë
1 kg sheqer
Një lugë kafeje vanilje pluhur
Lëngu i një kokërr limoni
Përgatitja e sherbetit
Gatimeshqiptare.com ju sugjeron të hidhni gjithë përbërësit në një tenxhere dhe t’i lini të ziejnë derisa masa të trashet në formën e sherbetit.
Përgatitja e Ëmbëlsirës
Si fillim, në një tas të madh shtohen të bardhat e vezëve dhe rrihen fort bashkë me sheqerin derisa të krijohet një masë e njëtrajtë dhe e fryrë si shkumë.
Më pas shtohen të verdhat e vezëve, dhe rrihen. Shtohet mielli lugë-lugë ndërsa masa trazohet pa ndërprerje.
E gjithë masa hidhet në tepsi e cila është lyer më parë me pak vaj dhe është spërkatur me pak miell.
Gatimeshqiptare.com ju këshillon që tepsia të mbushet në ¾ e lartësisë së saj, sepse gjatë pjekjes brumi rrit vëllimin e tij.
Futet për pjekje në furrë të parangrohur në temperaturën 150 gradë. E lëmë të piqet përreth 1 orë derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë.
Kur hiqet nga furra lihet të ftohet dhe i hidhet sherbet i vakët.