Përbërësit :
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
Një pulë e vogël ose 4-5 copa mish pule
300 gr brokoli
1 patate mesatare
1 karrotë (sipas preferencës)
Një lugë çaji me gjalpë të freskët
2-3 lugë gjelle vaj ulliri
Kripë
Piper
Përgatitja :
Pastrojmë mishin e pulës me ujë të rrjedhshëm.
Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm brokolit, të cilat i ndajmë në degëza ndërsa patatet i presim në kubikë shumë të vegjël. Nëse dëshironi të shtoni edhe karrota prijini ato në kubikë shumë të vegjël gjithashtu.
Vendosim një tenxhere në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit dhe pak gjalpë të freskët, shtojmë patatet, i kaurdisim për disa minuta dhe më pas shtojmë brokolit, i kaurdisim pak dhe i heqim dhe i vendosim në një enë mënjanë.
Ndërkohë në tenxheren me yndyrën e mbetur shtojmë copat e mishit të pulës i kaurdisim, shtojmë kripën dhe më pas shtojmë ujë derisa të mbulohen mirë dhe e lëmë që të ziejë.
Pasi mishi i pulës të ketë zierë, shtojmë brokolit dhe patatet dhe i lëmë të ziejnë për maskimumi 5-7 minuta.
Vlerat ushqimore të brokolit :
Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë. Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije.
Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit. Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.
Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.
Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteoporozës. Kjo perime e gjelbër bën mrekullira për zemrën.