Përbërësit :
½ kg miell
200 gr kos
Gjysmë luge kafeje me sodë buke
Kripë
Vaj për skuqje
Një lugë gjelle uthull molle (që pitet të mos thithin vaj gjatë skuqjes)
4-5 thelpinj hudhra të shtypura
2-3 lugë gjelle vaj ulliri
Majdanoz i grirë hollë dhe i freskët
Përgatitja :
Në një tas të madh hidhni miellin dhe hapni një gropë në mes.
Shtoni aty kosin, hidhni kripën, uthullën si dhe sodën dhe përzjejini mirë me duar derisa masa të bëhet e njëtrajtshme.
Sipas preferencës mund të shtoni edhe një kokërr vezë gjatë punimit të brumit me dorë.
Kur brumi është shndërruar në një masë kompakte të butë dhe jo të thatë, mbulojeni me një pecetë kuzhine.
Lëreni që të pushojë për një orë në një ambjent disi të ngrohtë.
Më pas, ndajeni brumin në toptha të vegjël.
Në tavolinën e punës në kuzhinë nisni t’i hapni ato përmes një petësi në formë të rrumbullakët në madhësinë që dëshironi.
Pasi e keni shtruar petën, piten kalojeni për skuqje nga të dyja anët.
Nëse preferoni, para se t’i skuqni, kur i keni hapur mund t’i shtoni brenda pak gjizë apo mbushje të tjera sipas preferencës.
Pasi keni shtuar mbushjen, paloseni piten dhe bashkoni mirë me anë të një piruni të dyja anët e pites në mënyrë që të mos dalë mbushja gjatë skuqjes.
Më pas skuqini në një tigan me pak vaj.
Në fund, shtypni hudhrat, vendosini në një tas, shtoni vajin e ullirit dhe majdanozin e grirë hollë, përzjeini bashkë dhe lyeni pitet pasi t’i keni skuqur.
Konsumojini të ngrohta dhe nëse dëshironi hidhuni pak fare kripë sipër.
Përmes kësaj recete do të mund të përgatisni rreth 10-12 pite.