Përbërësit :
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
4-5 filxhanë çaji qumësht
2 kokrra vezë
1 filxhan çaji me ujë
2 filxhanë kafeje me sheqer
3 lugë kafeje me niseshte
2 lugë gjelle me kakao
Përgatitja :
Në një enë apo tas me fund sferik hidhen vezët, rrihen fortë dhe më pas niseshteja, kakao dhe uji i ftohtë. Trazohen mirë të gjitha bashkë, pastaj hidhet qumështi i valuar.
Masa vihet në zjarr dhe trazohet derisa të trashet dhe të bëhet kremoze.
Më pas, kremi i përgatitur hidhet nëpër kupa dhe lihet për t’u ftohur.
Kombinimet :
Krem kakao mund të kombinohet me arra dhe biskota të thërrmuara, të cilat mund t’i hidhen në sipërfaqe por edhe në fund të kupës para se të hidhni kremin e kakaos.
Gjithashtu, krem kakao kombinohet në mënyrë të mrekullueshme edhe me fruta të ndryshme. Mund të prisni disa luleshtrudhe dhe banane në kubikë të vegjël dhe t’i vendosni në sipërfaqen e krem kakaos.
Tjetër kombinim i shijshëm është edhe vendosja e lëkurave të grira të limonëve ose portokalleve si dhe frutave të thata në sipërfaqe të krem kakaos.
Vlerat ushqimore të Kakaos :
Kakaoja është e pasur me minerale siç janë hekuri, magnezi, kalciumi, fosfori, bakri dhe mangani.
Ajo është një burim i mirë seleniumi, kaliumi dhe zinku. Kakaoja e ushqen trupin me karbohidrate, proteina dhe fibër dietike.
Për më tepër, kakaoja përmban nivele shumë të ulëta kolesteroli. Kakaoja përmban yndyrna mono-të-pangopura, siç është acidi oleik dhe yndyrna të ngopura siç janë acidi palmitik dhe steraik.