Përbërësit :
500 gr oriz
1 litër lëng mishi dashi (ose ujë)
200 gr sheqer
150 gr rrush të thatë
100 gr gjalp
1 lugë vaj ulliri
Disa fara karafili
Pak kripë
Pak kanellë
Përgatitja e kabunisë :
Në një tenxhere hedhim vajin e ullirit bashkë me gjalpin. Pasi gjalpi shkrihet hedhim orizin dhe e përziejmë për pak minuta derisa orizi të përthithë plotësisht masën e gjalpit të shkrirë.
Më pas hedhim me ngadalë ujin e valuar, pak kripë dhe disa fara karafili.
E lemë masën të ziejë të mbuluar me kapak në zjarr të ngadaltë.
Për të përftuar ngjyrën e praruar të artë të Kabunisë, përgatisim karamelin duke skuqur 2 lugë sheqer me pak vaj ulliri. Pasi është skuqur sheqeri, e shtojmë te kabunia gjatë zierjes.
Në momentin kur uji shteron dhe orizi nis të nxjerrë disa bulëza në sipërfaqe e heqim nga zjarri.
Tenxheren e mbulojmë me një pecetë të pastër duke i vendosur kapakun sipër për 15 minuta në mënyrë që të zbutet orizi.
Më pas, orizin e hedhim në një tavë qelqi ku hedhim sipër rrushin e thatë dhe disa fara karafilash. E lemë përsëri 10 minuta dhe më pas i hedhim sheqerin.
E përziejmë derisa sheqeri të tretet dhe pastaj e hedhim në pjata. Për t’i shtuar shije, sipër i hedhim kanellë dhe Kabunia e famshme e Beratit është gati për tryezën tuaj.