Gjellë me lakër dhe mish të thatë

Pjata kryesore

Përbërësit :

Gjysëm lakre të grirë hollë

2 qepë

1 spec të kuq

1 filxhan kafeje oriz (sipas dëshirës)

500 gr mish (nëse dëshironi mund të përdorni dhe mish të thatë ose mish të grirë)

5-6 thelpinj hudhre

Katër lugë me vaj ulliri

1 gjethe dafinë

1-2 lugë gjelle salcë domate

Një pjatë me lakër turshi të prerë hollë (sipas dëshirës)

Përgatitja :

Vendoseni tenxheren në zjarr dhe hidhni vajin e ullirit.

Kujdesuni që vaji të mos digjet dhe hidhni thelat e mishit, kaurdisini nga të dyja anët. Më pas shtoni specin e kuq të grirë hollë.

Speci duhet kaurdisur i pari sepse është më i fortë dhe kërkon më shumë kohë.

Pasi të jetë zbutur, shtoni qepët e grira dhe kaurdisini së bashku, vijoni duke shtuar salcën e domates.

Më pas shtoni lakrën por jo të gjithën menjëherë, sepse në të kundërt tenxherja do të mbushet plot dhe do të kërkojë shumë kohë lakra të zbutet.

Pasi lakra të jetë kaurdisur për 5-7 minuta hidhni ujë derisa përbërësit në texhere të mbulohen por jo plotësisht, shtoni kripën e piperin dhe mbulojeni me kapak.

Lëreni të ziejë me zjarr mesatar dhe përziejeni herë pas here duke garantuar që nuk ngjitet në fund të tenxheres.

Nëse uji përthithet shpejt dhe lakra nuk është zier, shtoni më shumë ujë.

Kontrolloni përmbajtjen e kripës dhe rregullojeni atë sipas preferencës.

Kur lakra të jetë pothuajse e gatuar, shtoni orizin, hudhrat, dafinën.

Orizi është opsional. Disa amvisa e preferojnë gjellën me oriz për shkak të aftësive lidhëse që ai ka në një gjellë.

Pasi lakra të jetë zbutur, kontrolloni përmbajtjen e piperit.

Gjella e lakrës kërkon patjetër një shije pakëz pikante.

Në disa receta të veriut të Shqipërisë, gjella në fjalë gatuhet në gjysëm racioni me lakër të freskët dhe gjysëm me lakër turshi.

Lakra turshi i jep gjellës një nuancë pakëz të hidhur por të thellë dhe shumë të shijshme.

Gjella me lakër nuk duhet të jetë shumë e lëngshme.

Servireni të ngrohtë duke e shoqëruar me kos dhe perime të pjekura.

Per porosi klikoni tek linku dhe bej zgjedhje tende : https://linktr.ee/produktebio
Per porosi klikoni tek linku dhe bej zgjedhje tende : https://linktr.ee/produktebio

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *